Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26

26
Vendimi për ta kapur
(Mk 14.1-2; Lk 22.1-2; Gjn 11.45-53)
1Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: 2«Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar».
3Atëherë kryepriftërinjtë#26.3 dorëshk. të tjera edhe: shkruesit dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa 4dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 5Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mk 14.3-9; Gjn 12.1-8)
6Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. 7Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. 8Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». 10Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 11Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. 12Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. 13Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mk 14.10-11; Lk 22.3-6)
14Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. 16Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mk 14.12-21; Lk 22.7-14, 21-23; Gjn 13.21-30)
17Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». 18Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». 19Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën.
20Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët 21e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». 22Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». 23Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. 24Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». 25Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».
Darka e Zotit
(Mk 14.22-26; Lk 22.15-20; 1Ko 11.23-25)
26Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». 27Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. 28Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. 29Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».
30Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mk 14.27-31; Lk 22.31-34; Gjn 13.36-38)
31Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar:
do të godas bariun
dhe delet e tufës do të shpërndahen.
32Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». 33Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». 34Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 35Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt.
Lutja në Gjetsemani
(Mk 14.32-42; Lk 22.39-46)
36Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». 37Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. 38Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». 39Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».
40Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? 41Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 42Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».
43Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. 44Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.
45Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 46Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe kapja
(Mk 14.43-50; Lk 22.47-53; Gjn 18.3-12)
47Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». 49Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. 50Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. 51Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 52Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?».
55Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. 56Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.
Para sinedrit
(Mk 14.53-65; Lk 22.54-55, 63-71; Gjn 18.13-14, 19-24)
57Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. 58Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.
59Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, 60por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta 61e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”».
62Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 63Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». 64Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se
që tani e tutje
do ta shihni Birin e njeriut
të ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit».
65Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. 66Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka 68e i thoshin: «Gjeje#26.68 ose: Profetizo kush të goditi, o Krisht?».
Mohimi i Pjetrit
(Mk 14.66-72; Lk 22.56-62; Gjn 18.15-18, 25-27)
69Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». 71Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». 72Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». 73Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». 74Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».
Atë çast këndoi gjeli 75dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 26: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë