Mateu 26:47-56
Mateu 26:47-56 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?». Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve». Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.
Mateu 26:47-56 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''. Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht. Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë. Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''. Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.