Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26:36-56

Mateu 26:36-56 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë. Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?». Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve». Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.

Mateu 26:36-56 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar. Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër''. Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''. Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht. Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë. Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''. Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.