Mateu 26:36-43
Mateu 26:36-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë.
Mateu 26:36-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.