Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 26:31-75

Mateu 26:31-75 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar: do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë. Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?». Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve». Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën. Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë. Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”». Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se që tani e tutje do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm, duke ardhur mbi retë e qiellit ». Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç'na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka e i thoshin: «Gjeje kush të goditi, o Krisht?». Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thua!». Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri». Atë çast këndoi gjeli dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.

Mateu 26:31-75 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen". Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''. Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt. Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar. Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër''. Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''. Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht. Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë. Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''. Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën. Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kaiafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë. Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin. Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë, por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë, të cilët thanë: ''Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"''. Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: ''Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?''. Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ''Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë''. Jezusi i tha: ''Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit''. Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ''Ai blasfemoi; ç'na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve?''. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: ''Ai është fajtor për vdekje!''. Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta, duke thënë: ''O Krisht, profetizo! Kush të ra?''. Tani Pjetri ndenji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: ''Edhe ti ishe me Jezusin, galileasin''. Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: ''Nuk di ç'po thua!''. Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: ''Edhe ky ishte me Jezusin, nazarenasin!''. Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: ''Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!''. Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Dhe në atë çast këndoi gjeli. Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: ''Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë''. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.