Mateu 26:20-54
Mateu 26:20-54 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua». Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim». Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve. Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t'u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar: do të godas bariun dhe delet e tufës do të shpërndahen. Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt. Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t'u lutur». Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti». Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!». Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë. Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton». Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. A mendoni se nuk mund t'i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?».
Mateu 26:20-54 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët; dhe, ndërsa po hanin, tha: ''Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''. Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: ''Mos jam unë, Zot?''. Dhe ai duke u përgjigjur, tha: ''Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë. Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë''. Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: ''Rabi, mos jam unë ai?''. Ai i tha: ''Ti po thua!''. Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''. Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve. Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''. Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te Mali i Ullinjve. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen". Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''. Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''. Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''. Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt. Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''. Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndiejë trishtim dhe ankth të madh. Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''. Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë? Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''. U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''. Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar. Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë. Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve. Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër''. Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''. Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht. Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë. Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''.