Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 20:1-16

Mateu 20:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. Pasi u mor vesh me punëtorët që t'i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Kur doli rreth orës nëntë, pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t'ju jap aq sa është e drejtë”. Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht”. Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? Merr atë që të takon e shko. Unë do t'i jap këtij të fundit sa ty. A nuk më lejohet mua të bëj ç'të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”. Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit».

Mateu 20:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet. Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë. Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t'ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan. Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu. Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?". Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë". Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët". Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili. Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili. Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë, duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës". Por ai duke u përgjigjur i tha njërit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar? Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t'i jap këtij të fundit aq sa ty. A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?". Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.