Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 20:1-16

Mateu 20:1-16 ALBB

''Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet. Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë. Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t'ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan. Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu. Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?". Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë". Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët". Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili. Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili. Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë, duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës". Por ai duke u përgjigjur i tha njërit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar? Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t'i jap këtij të fundit aq sa ty. A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?". Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.