Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 19:16-30

Mateu 19:16-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Ç'më mungon ende?». Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».

Mateu 19:16-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''. Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet''. Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''. I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''. Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''. Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe. Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve. Dhe po jua përsëris: Është më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''. Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: ''Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?''. Dhe Jezusi duke përqendruar shikimin mbi ata tha: ''Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur''. Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: ''Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme. Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë