Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 19:16-30

Mateu 19:16-30 AL1

Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: « Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë. Ç'më mungon ende?». Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».