Mateu 12:1-21
Mateu 12:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin. Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai: ja shërbëtori që unë kam zgjedhur, i dashuri im, me të cilin shpirti im është i kënaqur. Tek ai do të vë Shpirtin tim dhe ai do t'u shpallë drejtësinë kombeve. Nuk do të ankohet, as do të bërtasë. Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë zërin e tij. Nuk do ta thyejë kallamin e shkelur e as do ta shuajë flakëzën që nxjerr tym, derisa të ngadhënjejë e drejta. E në emrin e tij do të shpresojnë kombet.
Mateu 12:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''. Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''. Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre; dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''. Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë? E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''. Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra. Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin. Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë, dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thoshin kush ishte ai, me qëllim që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë: ''Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t'u shpall drejtësinë popujve. Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t'ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe. Ai nuk do ta thërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, derisa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë. Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij''.