Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin. Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai: ja shërbëtori që unë kam zgjedhur, i dashuri im, me të cilin shpirti im është i kënaqur. Tek ai do të vë Shpirtin tim dhe ai do t'u shpallë drejtësinë kombeve. Nuk do të ankohet, as do të bërtasë. Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë zërin e tij. Nuk do ta thyejë kallamin e shkelur e as do ta shuajë flakëzën që nxjerr tym, derisa të ngadhënjejë e drejta. E në emrin e tij do të shpresojnë kombet.
Lexo Mateu 12
Dëgjoj Mateu 12
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Mateu 12:1-21
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video