Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 11:16-30

Mateu 11:16-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve e u thonë: “I ramë fyellit për ju e nuk kërcyet, vajtuam e ju nuk mbajtët zi”. Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta». Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Në skëterrë do të plandosesh. Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit». Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».

Mateu 11:16-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por me kë ta krahasoj këtë brez? Ai u ngjan fëmijëve që rrinë në sheshe dhe u drejtohen shokëve të tyre duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk kërcyet; nisëm vajin dhe ju nuk u brengosët". Pra, erdhi Gjoni që as hante, as pinte, dhe ata thonë: "Ai ka një demon". Erdhi Biri i njeriut, që ha dhe pi dhe ata thonë: "Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve". Por dituria është justifikuar nga bijtë e vet''. Atëherë ai nisi t'i qortojë ato qytete, ku ishte kryer pjesa më e madhe e veprave të fuqishme të tij, sepse ato nuk ishin penduar duke thënë: ''Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, në se në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi. Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë se ju. Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse në se do të ishin kryer në Sodomë veprat të fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite. Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit fati i vendit të Sodomës do të jetë më i lehtë se yti''. Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty. Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t'ia zbulojë. Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!''.