Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 11:16-30

Mateu 11:16-30 AL1

Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve e u thonë: “I ramë fyellit për ju e nuk kërcyet, vajtuam e ju nuk mbajtët zi”. Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta». Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum, mos vallë do të lartësohesh deri në qiell? Në skëterrë do të plandosesh. Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit». Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë. Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».