Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 6:1-26

Luka 6:1-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit. Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar. Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha: «Lum ju që jeni të varfër, se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë! Lum ju që tani keni uri, se do të ngiheni! Lum ju që tani qani, se do të qeshni! Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë, kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë, kur të shpifin për ju për shkak të Birit të njeriut! Kur të vijë ajo ditë, gëzohuni e kërceni, se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell. Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët. Por mjerë ju të pasur, se e keni marrë ngushëllimin tuaj! Mjerë ju që jeni të nginjur tani, se do të keni uri! Mjerë ju që tani qeshni, se do të trishtoheni e do të qani! Mjerë ju kur të gjithë të flasin mirë për ju! Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».

Luka 6:1-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin. Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: ''Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?''. Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria? Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t'i hante, përveç priftërinjve?''. Pastaj u tha atyre: ''Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës". Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin. Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: ''Çohu dhe dil këtu në mes''. Dhe ai u ngrit në këmbë. Pastaj Jezusi u tha atyre: ''Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?''. Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra. Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç'mund t'i bënin Jezusit. Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t'u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë. Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj: Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun, Mateun dhe Thomanë, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota, Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar. Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judeja, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t'u shëruar nga sëmundjet e veta; Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin. E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë. Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: ''Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë''. Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni. Lum ju, kur njerëzit do t'ju urrejnë, do t'ju mallkojnë dhe do t'ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut. Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët. Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani! Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.