Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 6:1-26

Luka 6:1-26 AL1

Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t'i hajë askush përveç priftërinjve?». Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t'i bënin Jezuit. Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t'u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar. Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t'u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte. Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha: «Lum ju që jeni të varfër, se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë! Lum ju që tani keni uri, se do të ngiheni! Lum ju që tani qani, se do të qeshni! Lum ju kur njerëzit t'ju urrejnë, kur t'ju përjashtojnë e t'ju shajnë, kur të shpifin për ju për shkak të Birit të njeriut! Kur të vijë ajo ditë, gëzohuni e kërceni, se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell. Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët. Por mjerë ju të pasur, se e keni marrë ngushëllimin tuaj! Mjerë ju që jeni të nginjur tani, se do të keni uri! Mjerë ju që tani qeshni, se do të trishtoheni e do të qani! Mjerë ju kur të gjithë të flasin mirë për ju! Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».