Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 3:1-14

Luka 3:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t'u faleshin mëkatet. Siç është shkruar në librin e profetit Isai: një zë thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin, drejtoni shtigjet e tij. Çdo luginë le të mbushet e çdo mal e kodër le të rrafshohet. Drejtoni udhët e shtrembra e rrafshoni rrugët e ashpra. Çdo njeri do ta shohë shpëtimin e Perëndisë. Gjoni u thoshte turmave që vinin për t'u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». Turmat e pyetën: «Ç'duhet të bëjmë, atëherë?». Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t'ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». Erdhën për t'u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç'duhet të bëjmë?». Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç'ju është ngarkuar». Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç'duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».

Luka 3:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës, nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kaifa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë. Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve, ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''. Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë. Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''. Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''. Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''. Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''. Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''.