Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 3:1-14

Luka 3:1-14 ALBB

Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës, nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kaifa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë. Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve, ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: ''Ja zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë''. Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: "Ne kemi Abrahamin për Atë", sepse unë po ju them se Perëndia mund t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë. Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr''. Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: ''Dhe ne, pra, ç'të bëjmë?''. Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: ''Ai që ka dy tunika le t'i ndajë me atë që s'ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu''. Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: ''Mësues, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar''. Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: ''Dhe ne, ç'duhet të bëjmë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!''.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Luka 3:1-14