Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 23:26-49

Luka 23:26-49 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: “Bini mbi ne” dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?». Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve». Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë». Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite. Dielli u zu e veli i tempullit u gris më dysh. Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim ». Pasi tha këto, dha shpirt. Kur pa çfarë kishte ndodhur, kryeqindësi përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë». Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi e u kthyen duke rrahur kraharorin. Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea, rrinin në njëfarë largësie dhe shikonin këto gjëra.

Luka 23:26-49 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?". Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE". Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''. Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes. Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma. Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''. Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin. Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja qëndronin larg, duke parë këto gjëra.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë