Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 23:26-49

Luka 23:26-49 ALBB

Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?". Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE". Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''. Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes. Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ''O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!''. Dhe, si tha këto, dha fryma. Atëherë centurioni, kur pa ç'ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ''Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!''. Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç'po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin. Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galileja qëndronin larg, duke parë këto gjëra.