Luka 22:24-30
Luka 22:24-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben. Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».
Luka 22:24-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi. Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës. Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben. Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben. Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia. Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im, që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.