Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:5-17

Luka 1:5-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë. Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Gjon. Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t'i gëzohen lindjes së tij. Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. Shumë bij të Izraelit do t'i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t'i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t'i bërë gati Zotit një popull të përgatitur».

Luka 1:5-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit. Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të kaluar në moshë. Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin. Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit. Atëherë një engjëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit. Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika. Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon. Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës. Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë