Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:5-17

Luka 1:5-17 ALBB

Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit. Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të kaluar në moshë. Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin. Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit. Atëherë një engjëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit. Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika. Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon. Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës. Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë''.