Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jona 1:1-16

Jona 1:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i foli Jonait, birit të Amitait, e i tha: «Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e fol kundër tij, sepse ligësia e banorëve të tij ka mbërritur deri tek unë». Atëherë Jonai u ngrit e mori arratinë për në Tarshish, larg pranisë së ZOTIT. Zbriti në Jafë e gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi për udhëtimin dhe hipi në anije për të shkuar bashkë me të tjerë në Tarshish, larg pranisë së ZOTIT. Por ZOTI kishte dërguar në det një erë të fortë. Stuhia në det qe aq e furishme, saqë anija rrezikonte të copëtohej. Atëherë detarët i zuri frika dhe secili i thirri perëndisë së vet për ndihmë. Për të lehtësuar anijen, hodhën në det edhe ngarkesën e saj. Ndërkaq, Jonai kishte zbritur poshtë, brenda anijes, ishte shtrirë dhe kishte rënë në gjumë të thellë. Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: «Çfarë? Po fle? Ngrihu e thirri perëndisë tënd për ndihmë! Ndoshta ky perëndi kujtohet për ne e kështu nuk marrim fund». Detarët i thanë njëri-tjetrit: «Ejani të hedhim short që të dimë për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi». Hodhën short e i ra Jonait. Atëherë ata e pyetën: «Ja na thuaj, për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi? Me çfarë merresh e nga vjen? Nga ç'vend e nga ç'popull je?». Jonai u përgjigj: «Hebre jam dhe ZOTIN, Perëndinë e qiellit, druaj. Ai krijoi detin e dheun». Atëherë ata burra i kapi një frikë e madhe, prandaj i thanë: «Si e bëre këtë gjë!». Ata e dinin se Jonai kishte marrë arratinë nga prania e ZOTIT, se ua kishte thënë vetë. Ngaqë deti po bëhej gjithnjë e më i egër, ata e pyetën: «Çfarë të bëjmë me ty që të na qetësohet deti?». Ai u tha: «Më kapni e më hidhni në det, që deti të qetësohet, sepse unë e di se kjo stuhi ju ra për shkakun tim». Detarët u dhanë rremave për ta kthyer anijen në breg, por nuk mundën, sepse deti po bëhej gjithnjë e më i egër. Atëherë i thirrën ZOTIT e thanë: «O ZOT, mos na e merr jetën për shkak të këtij njeriu e mos na fajëso për gjak të pafajshëm, se ti, o ZOT, ke bërë sikurse ke dashur». Kështu, e morën Jonain dhe e hodhën në det. Deti u qetësua nga tërbimi. Atëherë ata burra i pushtoi një frikë e madhe ndaj ZOTIT. I kushtuan ZOTIT një flijim e u betuan para tij.

Jona 1:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë: "Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje". Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë të Zotit. Kështu zbriti në Jafa, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e caktuar dhe hipi në anije për të shkuar me ta larg pranisë të Zotit. Por Zoti shpërtheu një erë të fortë në det dhe u ngrit një furtunë e madhe në det, kështu që anija rrezikonte të shkallmohej. Detarët, të trembur, i thirrën secili perëndisë së vet dhe hodhën në det ngarkesën që ishte në anije për ta lehtësuar. Ndërkaq Jona kishte zbritur në pjesët më të fshehta të anijes, kishte rënë dhe flinte thellë. Kapiteni iu afrua dhe i tha: "Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd! Ndofta Perëndia do të kujdeset për ne dhe nuk do të vdesim". Pastaj i thanë njëri-tjetrit: "Ejani, të hedhim short për të ditur për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi". Kështu hodhën shortin dhe shorti ra mbi Jonan. Atëherë e pyetën: "Na shpjego për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi. Cili është zanati yt? Nga vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?". Ai u përgjigj atyre: "Unë jam hebre dhe kam frikë nga Zoti, Perëndia i qiellit, që ka bërë detin dhe sterenë". Atëherë ata njerëz i pushtoi një frikë e madhe dhe i thanë: "Pse e bërë këtë?". Ata në fakt e kishin vënë re që ai ikte larg pranisë të Zotit, sepse ua kishte thënë atyre. Ata i thanë: "Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?". Në fakt deti po bëhej gjithnjë më i stuhishëm. Ai iu përgjigj atyre: "Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet, sepse unë e di që kjo furtunë e madhe ju ra mbi kokë për shkakun tim". Megjithatë ata njerëz vozitnin me forcë për ta kthyer anijen në breg, por nuk ia dilnin dot, sepse deti bëhej gjithnjë më i stuhishëm kundër tyre. Prandaj i klithën Zotit dhe i thanë: "Ah, o Zot, mos lejo që të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na fajëso me gjak të pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke bërë si ke dashur". Pastaj e zunë Jonan dhe e hodhën në det, dhe tërbimi i detit u fashit. Ata njerëz atëherë i zuri një frikë e madhe nga Zoti, i ofruan një flijim Zotit dhe u betuan.