Jonai 1
1
Jonai largohet nga prania e Zotit
1 Zoti i foli Jonait, birit të Amitait, e i tha: 2«Ngrihu e shko në qytetin e madh të Ninivës e fol kundër tij, sepse ligësia e banorëve të tij ka mbërritur deri tek unë». 3Atëherë Jonai u ngrit e mori arratinë për në Tarshish, larg pranisë së Zotit. Zbriti në Jafë e gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi për udhëtimin dhe hipi në anije për të shkuar bashkë me të tjerë në Tarshish, larg pranisë së Zotit.
4Por Zoti kishte dërguar në det një erë të fortë. Stuhia në det qe aq e furishme, saqë anija rrezikonte të copëtohej. 5Atëherë detarët i zuri frika dhe secili i thirri perëndisë së vet për ndihmë. Për të lehtësuar anijen, hodhën në det edhe ngarkesën e saj. Ndërkaq, Jonai kishte zbritur poshtë, brenda anijes, ishte shtrirë dhe kishte rënë në gjumë të thellë. 6Kapiteni i anijes iu afrua e i tha: «Çfarë? Po fle? Ngrihu e thirri perëndisë tënd për ndihmë! Ndoshta ky perëndi kujtohet për ne e kështu nuk marrim fund».
7Detarët i thanë njëri-tjetrit: «Ejani të hedhim short që të dimë për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi». Hodhën short e i ra Jonait. 8Atëherë ata e pyetën: «Ja na thuaj, për shkak të kujt na ra kjo fatkeqësi? Me çfarë merresh e nga vjen? Nga ç'vend e nga ç'popull je?». 9Jonai u përgjigj: «Hebre jam dhe Zotin, Perëndinë e qiellit, druaj. Ai krijoi detin e dheun». 10Atëherë ata burra i kapi një frikë e madhe, prandaj i thanë: «Si e bëre këtë gjë!». Ata e dinin se Jonai kishte marrë arratinë nga prania e Zotit, se ua kishte thënë vetë.
11Ngaqë deti po bëhej gjithnjë e më i egër, ata e pyetën: «Çfarë të bëjmë me ty që të na qetësohet deti?». 12Ai u tha: «Më kapni e më hidhni në det, që deti të qetësohet, sepse unë e di se kjo stuhi ju ra për shkakun tim». 13Detarët u dhanë rremave për ta kthyer anijen në breg, por nuk mundën, sepse deti po bëhej gjithnjë e më i egër. 14Atëherë i thirrën Zotit e thanë: «O Zot, mos na e merr jetën për shkak të këtij njeriu e mos na fajëso për gjak të pafajshëm, se ti, o Zot, ke bërë sikurse ke dashur». 15Kështu, e morën Jonain dhe e hodhën në det. Deti u qetësua nga tërbimi. 16Atëherë ata burra i pushtoi një frikë e madhe ndaj Zotit. I kushtuan Zotit një flijim e u betuan para tij.
Aktualisht i përzgjedhur:
Jonai 1: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020