Gjoni 7:25-53
Gjoni 7:25-53 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë? Ja, ai po flet lirisht e nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti? Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është». Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni. Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi». Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, se nuk i kishte ardhur ende koha. Shumë nga turma besuan në Jezuin e thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë shenja se ky?». Farisenjtë dëgjuan se turma pëshpëriste këto gjëra për Jezuin, prandaj, së bashku me kryepriftërinjtë, dërguan roja për ta kapur. Atëherë Jezui u tha: «Edhe për pak kohë jam me ju e pastaj do të shkoj tek ai që më dërgoi. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni, sepse ju nuk mund të vini atje ku jam unë». Judenjtë pyesnin njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky, që ne nuk mund ta gjejmë? Mos ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes helenëve e të mësojë helenët? Ç'do të thonë fjalët “do të më kërkoni e nuk do të më gjeni” dhe “ju nuk mund të vini atje ku jam unë”?». Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë! Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij, siç ka thënë Shkrimi». Këtë e tha për Shpirtin që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi. Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti», të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? A nuk ka thënë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit e nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi?». Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit. Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të. Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë që i pyetën: «Përse nuk e sollët?». Ata iu përgjigjën farisenjve: «Asnjeri nuk ka folur kështu ndonjëherë». Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju? A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve? Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin është e mallkuar». Nikodemi, njëri prej farisenjve, që kishte shkuar më parë te Jezui, tha: «A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë e pa marrë vesh se çfarë ka bërë?». Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galilea». Dhe secili shkoi në shtëpinë e vet.
Gjoni 7:25-53 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: ''A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti? Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është''. Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: ''Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s'kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni. Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi''. Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s'kishte ardhur akoma. Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshin: ''Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?''. Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar. Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini''. Prandaj judenjtë thoshin në mes tyre: ''Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis grekëve, dhe të mësojë grekët? Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?''. Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ''Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë''. Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar. Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: ''Ky është me të vërtetë Profeti!''. Të tjerë thoshin: ''Ky është Krishti''. Kurse të tjerë thoshin: ''Vallë nga Galileja vjen Krishti? A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?''. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij. Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të. Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ''Pse nuk e sollët?''. Rojet u përgjigjen: ''Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri''. Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ''Mos u gënjyet edhe ju? Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të? Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar''. Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre: ''Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç'ka bërë ai?''. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Mos je edhe ti nga Galileja? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galileja s'ka dalë kurrë profet''. Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.