Gjoni 7
7
1Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që judenjtë kërkonin ta vrisnin.
2Por festa e judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.
3Prandaj vëllezërit e tij i thanë: ''Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t'i shohin veprat që ti bën.
4Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të njihet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!''.
5Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.
6Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.
7Bota nuk mund t'ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.
8Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar''.
9Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.
10Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.
11Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshin: ''Ku është ai?''.
12Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshin: ''Ai është i mirë!''. Të tjerë thoshin: ''Jo, madje ai e mashtron popullin''.
13Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e judenjve.
14Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
15Dhe judenjtë mrekulloheshin duke thënë: ''Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?''.
16Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: ''Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
17Në qoftë se dikush do të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
18Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
19A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?''.
20Turma u përgjigj dhe tha: ''Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?''.
21Jezusi u përgjigj dhe u tha: ''Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mrekulluar.
22Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.
23Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësisht një njeri të shtunën?
24Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!''
25Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: ''A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
26E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
27Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është''.
28Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: ''Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s'kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi''.
30Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s'kishte ardhur akoma.
31Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshin: ''Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?''.
32Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.
33Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.
34Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini''.
35Prandaj judenjtë thoshin në mes tyre: ''Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis grekëve, dhe të mësojë grekët?
36Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?''.
37Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ''Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
38Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë''.
39Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
40Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin: ''Ky është me të vërtetë Profeti!''.
41Të tjerë thoshin: ''Ky është Krishti''. Kurse të tjerë thoshin: ''Vallë nga Galileja vjen Krishti?
42A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?''.
43Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.
44Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
45Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ''Pse nuk e sollët?''.
46Rojet u përgjigjen: ''Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri''.
47Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ''Mos u gënjyet edhe ju?
48Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?
49Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar''.
50Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:
51''Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç'ka bërë ai?''.
52Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Mos je edhe ti nga Galileja? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galileja s'ka dalë kurrë profet''.
53Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.
Aktualisht i përzgjedhur:
Gjoni 7: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr