Gjoni 5:1-24
Gjoni 5:1-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pastaj judenjtë kishin një festë dhe Jezui shkoi në Jerusalem. Në Jerusalem, afër Portës së Dhenve, kishte një hurdhë me pesë portikë që në hebraisht quhet Betzata. Atje dergjeshin shumë të sëmurë, të verbër, të çalë e të paralizuar. Aty ishte dhe një njeri i sëmurë që kishte tridhjetë e tetë vjet që vuante. Jezui, kur e pa që dergjej i sëmurë dhe duke e ditur se kishte shumë kohë që vuante, i tha: «A dëshiron të shërohesh?». I sëmuri iu përgjigj: «Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në hurdhë kur trazohet uji. Kur përpiqem të hyj unë, dikush tjetër zbret para meje». Jezui i tha: «Ngrihu, merre shtrojën tënde dhe ec!». Ai njeri u shërua në çast, mori shtrojën dhe eci. Por, meqenëse atë ditë ishte e shtunë, judenjtë i thanë të shëruarit: «Sot është e shtunë e nuk të lejohet të mbartësh shtrojën». Ai u përgjigj: «Ai që më shëroi më tha: merre shtrojën tënde dhe ec!». Ata e pyetën: «Cili është ky njeri që të tha: merre shtrojën dhe ec?». I shëruari nuk e dinte kush ishte, se Jezui kishte humbur mes turmës së njerëzve që ndodheshin aty. Më vonë Jezui e gjeti atë në tempull e i tha: «Ja ku u shërove! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë ndonjë e keqe më e madhe». Ai njeri shkoi e u tregoi judenjve se ai që e kishte shëruar ishte Jezui. Atëherë judenjtë filluan ta përndjekin Jezuin, meqenëse ai i bënte këto gjëra të shtunën. Ndërsa Jezui u tha: «Ati im vepron gjithmonë, prandaj edhe unë veproj». Kështu judenjtë kërkonin edhe më shumë ta vrisnin, sepse jo vetëm që shkelte ligjin e së shtunës, por edhe thoshte se Perëndia ishte Ati i tij, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë. Atëherë Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, përveç asaj që sheh se bën Ati. Ato gjëra që bën Ati, bën edhe Biri. Ati e do Birin e i tregon gjithçka që bën. Ai do t'i tregojë vepra edhe më të mëdha, që ju të mrekulloheni. Sepse ashtu si Ati ngjall të vdekurit e u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron. Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar. Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë.
Gjoni 5:1-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë. Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit. Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte. Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''. I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''. Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''. Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë. Prandaj judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Është e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''. Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''. Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''. Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend. Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''. Ai njeri shkoi dhe u tregoi judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi. Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave. Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''. Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni. Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.