Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.
Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.
Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.
Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.
Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''.
I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''.
Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''.
Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.
Prandaj judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Është e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''.
Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''.
Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''.
Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.
Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''.
Ai njeri shkoi dhe u tregoi judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.
Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.
Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''.
Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.
Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.
Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.
Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.
Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,
që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.