Gjoni 21:1-17
Gjoni 21:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu. Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun. Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve. Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!». Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!». Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia!
Gjoni 21:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë: Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë. Simon Pjetri u tha atyre: ''Po shkoj të peshkoj''. Ata i thanë: ''Po vijmë edhe ne me ty''. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë. Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi. Dhe Jezusi u tha atyre: ''O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?''. Ata iu përgjigjën: ''Jo!''. Dhe ai u tha atyre: ''Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni''. E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve. Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ''Është Zoti''. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det. Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq. Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë. Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''. Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezusi u tha atyre: ''Ejani të hani mëngjes''. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ''Kush je?'', duke ditur se ishte Zoti. Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun. Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.