Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 21:1-17

Gjoni 21:1-17 ALBB

Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë: Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë. Simon Pjetri u tha atyre: ''Po shkoj të peshkoj''. Ata i thanë: ''Po vijmë edhe ne me ty''. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë. Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi. Dhe Jezusi u tha atyre: ''O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?''. Ata iu përgjigjën: ''Jo!''. Dhe ai u tha atyre: ''Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni''. E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve. Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ''Është Zoti''. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det. Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq. Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë. Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''. Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezusi u tha atyre: ''Ejani të hani mëngjes''. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ''Kush je?'', duke ditur se ishte Zoti. Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun. Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia.