Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 19:17-42

Gjoni 19:17-42 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova». Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë: i ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për petkun tim. Dhe ushtarët kështu bënë. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt. Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë. Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.

Gjoni 19:17-42 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota", ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE". Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht. Prandaj krerët e priftërinjve të judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i judenjve"''. Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ''Nuk e grisim, por hedhim short kujt t'i bjerë''; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ''I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time''. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra. Por afër kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''. Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet. Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''. Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një degë hisopi, ia afruan te goja. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën. Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t'u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej. Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë. Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni. Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ''Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër''. Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ''Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar''. Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimateja, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash. Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin judenjtë. Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush. Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.