Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 19:17-42

Gjoni 19:17-42 AL1

Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova». Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë: i ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për petkun tim. Dhe ushtarët kështu bënë. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt. Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë. Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.