Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 31:1-14

Jeremia 31:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Në atë kohë, kumton ZOTI, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im. Kështu thotë ZOTI: gjeti hir në shkretëtirë populli që i shpëtoi shpatës; Izraeli po shkon drejt prehjes. Prej së largu m'u dëftua ZOTI: “Të desha me dashuri të amshuar, prandaj të mbeta besnik. Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh, o virgjëresha e Izraelit. Sërish do të stolisesh me dajre e do t'i prish valles së gaztorëve. Sërish do të mbjellësh vreshta në malet e Samarisë, do të mbjellin mbjellësit e do të begatohen. Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve në malin e Efraimit: ngrihuni, të shkojmë në Sion, te ZOTI, Perëndia ynë”. Se kështu thotë ZOTI: bëzani me hare për Jakobin, galdoni për kreun e kombeve; shpallni lavdërimin tuaj e thoni: e shpëtoi ZOTI popullin e vet, tepricën e Izraelit. Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut e po i mbledh nga skajet e dheut. Ndër ta është i verbri e i çali, shtatzëna e lehona: një bashkësi e madhe këtu do të kthehet. Do të vijnë duke u dënesur, por unë do t'i sjell të përdëllyer, do t'u prij drejt rrjedhave të ujit, në një udhë të drejtë ku nuk do të pengohen, se për Izraelin u bëra porsi atë dhe Efraimi është i parëlinduri im». «Dëgjojeni, o kombe, fjalën e ZOTIT, shpalluani ishujve të largët e thoni: ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë, do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu». Se e shpagoi ZOTI Jakobin, e shpengoi nga dora e më të fortit. Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit, shndritur prej mirësisë së ZOTIT, për grurin, për mushtin e për vajin, për grigjat e për tufat. Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre e më nuk do të lëngojnë. Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle, rinia e pleqtë së bashku. Do ta kthej zinë e tyre në hare, do t'i ngushëlloj e do t'i lumturoj, do t'ua heq pikëllimin. Do t'i ngij priftërinjtë me dhjamë, me të mirat e mia do të mbushet populli im, kumton ZOTI.

Jeremia 31:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Në atë kohë", thotë Zoti, "unë do të jem Perëndia i të gjitha familjeve të Izraelit, dhe ato do të jenë populli im". Kështu thotë Zoti: "Populli që shpëtoi nga shpata ka gjetur hir në shkretëtirë; unë do t'i jap prehje Izraelit". Shumë kohë më parë Zoti m'u shfaq duke thënë: "Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi. Unë do të të rindërtoj dhe ti do të rindërtohesh, o virgjëreshë e Izraelit. Do të zbukurohesh përsëri me dajret e tua dhe do të dalësh në mes të valleve të atyre që bëjnë festë. Do të mbjellësh përsëri vreshta mbi malet e Samarias; mbjellësit do të mbjellin dhe do të vjelin frytin e tyre. Do të vijë dita kur rojet do të bërtasin në malin Efraim: "Çohuni, të ngjitemi në Sion, tek Zoti, Perëndia ynë"". Sepse kështu thotë Zoti: "Ngrini këngë gëzimi për Jakobin dhe lëshoni britma për të parin e kombeve; shpallni, këndoni lëvdata dhe thoni: O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti nga Izraeli. Ja, unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga skajet e tokës. Midis tyre është i verbëri dhe çalamani, gruaja me barrë dhe bashkë me të ajo që ka për të pjellë: një turmë e madhe do të kthehet këtu. Do të vinë duke qarë, do t'i çoj duke u lutur. Do t'i bëj të ecin gjatë rrjedhave ujore, nëpër një rrugë të drejtë në të cilën nuk do të pengohen, sepse jam një atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im. O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij. Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai. Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më. Atëherë virgjëresha do të gëzohet në valle dhe të rinjtë bashkë me pleqtë, sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t'i ngushëlloj dhe do t'i gëzoj mbas dhembjes së tyre. Do të ngop shpirtin e priftërinjve me të madhe dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia", thotë Zoti.