Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 31:1-14

Jeremia 31:1-14 AL1

«Në atë kohë, kumton ZOTI, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im. Kështu thotë ZOTI: gjeti hir në shkretëtirë populli që i shpëtoi shpatës; Izraeli po shkon drejt prehjes. Prej së largu m'u dëftua ZOTI: “Të desha me dashuri të amshuar, prandaj të mbeta besnik. Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh, o virgjëresha e Izraelit. Sërish do të stolisesh me dajre e do t'i prish valles së gaztorëve. Sërish do të mbjellësh vreshta në malet e Samarisë, do të mbjellin mbjellësit e do të begatohen. Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve në malin e Efraimit: ngrihuni, të shkojmë në Sion, te ZOTI, Perëndia ynë”. Se kështu thotë ZOTI: bëzani me hare për Jakobin, galdoni për kreun e kombeve; shpallni lavdërimin tuaj e thoni: e shpëtoi ZOTI popullin e vet, tepricën e Izraelit. Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut e po i mbledh nga skajet e dheut. Ndër ta është i verbri e i çali, shtatzëna e lehona: një bashkësi e madhe këtu do të kthehet. Do të vijnë duke u dënesur, por unë do t'i sjell të përdëllyer, do t'u prij drejt rrjedhave të ujit, në një udhë të drejtë ku nuk do të pengohen, se për Izraelin u bëra porsi atë dhe Efraimi është i parëlinduri im». «Dëgjojeni, o kombe, fjalën e ZOTIT, shpalluani ishujve të largët e thoni: ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë, do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu». Se e shpagoi ZOTI Jakobin, e shpengoi nga dora e më të fortit. Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit, shndritur prej mirësisë së ZOTIT, për grurin, për mushtin e për vajin, për grigjat e për tufat. Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre e më nuk do të lëngojnë. Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle, rinia e pleqtë së bashku. Do ta kthej zinë e tyre në hare, do t'i ngushëlloj e do t'i lumturoj, do t'ua heq pikëllimin. Do t'i ngij priftërinjtë me dhjamë, me të mirat e mia do të mbushet populli im, kumton ZOTI.