Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 7:1-8

Gjyqtarët 7:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jerubaali, domethënë Gideoni, dhe gjithë populli që ishte me të, u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit, ndërsa midianitët kishin fushuar në luginën që ndodhej në veri të kodrës së Morehut. Atëherë ZOTI i tha Gideonit: «Ke marrë tepër popull me vete, që t'u dorëzoj midianitët. Izraeli mund të mburret pastaj e të thotë: “U çlirova me forcat e mia”. Prandaj do të bësh këtë shpallje para popullit: “Kush dridhet nga frika, le të kthehet pas e të largohet nga mali i Gileadit”». U kthyen njëzet e dy mijë vetë dhe mbetën dhjetë mijë. Dhe ZOTI i tha Gideonit: «Prapë ka shumë popull. Zbriti poshtë tek uji dhe aty do t'i vë në provë. Me ty ka për të ardhur ai që do të të them unë, ndërsa ai për të cilin do të të them të mos vijë me ty, nuk ka për të ardhur». Gideoni e zbriti popullin tek uji dhe Zoti i tha: «Të gjithë ata që do të pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t'i ndash nga ata që do të pinë duke u ulur në gjunjë». Numri i atyre që e lëpinë ujin nga grushti ishte treqind veta. Të gjithë të tjerët pinë duke u ulur në gjunjë. ZOTI i tha Gideonit: «Me treqind burrat që e lëpinë ujin nga grushti, do t'ju çliroj dhe do t'jua dorëzoj midianitët. Të gjithë të tjerët lëri të shkojnë në shtëpi». Ata mblodhën ushqimet dhe boritë e popullit, ndërsa të gjithë izraelitët e tjerë Gideoni i nisi të ktheheshin nëpër tendat e veta. Me vete mbajti vetëm treqind burrat. Fushimi i midianitëve ishte poshtë tyre, në luginë.

Gjyqtarët 7:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jerubaali, pra, (domethënë Gedeoni) dhe gjithë njerëzit që ishin me të u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit. Kampi i Midianit ndodhej në veri të tyre, pranë kodrës së Morehut, në luginë. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Midianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Është dora ime që më ka shpëtuar". Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë. Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t'i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty", ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur". Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpin qeni, do t'i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë". Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t'ju shpëtoj dhe do t'i jap midianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre". Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Midianit gjendej poshtë tij, në luginë.