Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 7

7
Gideoni mposht midianitët
1Jerubaali, domethënë Gideoni, dhe gjithë populli që ishte me të, u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit, ndërsa midianitët kishin fushuar në luginën që ndodhej në veri të kodrës së Morehut.
2Atëherë Zoti i tha Gideonit: «Ke marrë tepër popull me vete, që t'u dorëzoj midianitët. Izraeli mund të mburret pastaj e të thotë: “U çlirova me forcat e mia”. 3Prandaj do të bësh këtë shpallje para popullit: “Kush dridhet nga frika, le të kthehet pas e të largohet nga mali i Gileadit”». U kthyen njëzet e dy mijë vetë dhe mbetën dhjetë mijë.
4Dhe Zoti i tha Gideonit: «Prapë ka shumë popull. Zbriti poshtë tek uji dhe aty do t'i vë në provë. Me ty ka për të ardhur ai që do të të them unë, ndërsa ai për të cilin do të të them të mos vijë me ty, nuk ka për të ardhur». 5Gideoni e zbriti popullin tek uji dhe Zoti i tha: «Të gjithë ata që do të pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t'i ndash nga ata që do të pinë duke u ulur në gjunjë». 6Numri i atyre që e lëpinë ujin nga grushti ishte treqind veta. Të gjithë të tjerët pinë duke u ulur në gjunjë. 7Zoti i tha Gideonit: «Me treqind burrat që e lëpinë ujin nga grushti, do t'ju çliroj dhe do t'jua dorëzoj midianitët. Të gjithë të tjerët lëri të shkojnë në shtëpi». 8Ata mblodhën ushqimet dhe boritë e popullit, ndërsa të gjithë izraelitët e tjerë Gideoni i nisi të ktheheshin nëpër tendat e veta. Me vete mbajti vetëm treqind burrat. Fushimi i midianitëve ishte poshtë tyre, në luginë.
9Atë natë Zoti i tha Gideonit: «Ngrihu e zbrit në fushimin e midianitëve, sepse t'i kam dorëzuar ty. 10Po të kesh frikë të zbresësh vetëm, le të zbresë me ty edhe Purahu, shërbëtori yt. 11Kur të dëgjosh për çfarë flasin, do të të forcohen duart dhe do ta sulmosh fushimin». Gideoni zbriti bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij, deri në pararojën e fushimit. 12Midianitët, amalekitët dhe popujt e tjerë të lindjes ishin shpërndarë në tërë luginën, si një turmë e madhe karkalecash. Edhe devetë e tyre ishin të panumërta, si rëra brigjeve të detit. 13Kur mbërriti Gideoni, një ushtar po i tregonte shokut të vet një ëndërr, duke i thënë: «Pashë në ëndërr një bukë elbi të pjekur që rrokullisej drejt fushimit të midianitëve. Erdhi e goditi një tendë. Tenda ra e u kthye përmbys». 14Shoku iu përgjigj: «Kjo nuk është veçse shpata e Gideonit, birit të Joashit, izraelitit. Perëndia ia ka dorëzuar atij midianitët dhe gjithë fushimin».
15Kur Gideoni dëgjoi ëndrrën dhe shpjegimin e saj, u përkul deri në tokë dhe u kthye në fushimin e Izraelit dhe urdhëroi: «Ngrihuni, sepse Perëndia na i ka dorëzuar midianitët dhe fushimin e tyre». 16Treqind burrat i ndau në tre grupe dhe u dha të gjithëve nga një bori dhe nga një poç të zbrazët me një pishtar brenda. 17Pastaj u tha: Shihni nga unë dhe veproni si unë. «Kur të kem mbërritur në kufijtë e fushimit, do të veproni si unë. 18Kur t'i bie borisë unë dhe të gjithë ata që do të jenë me mua, do t'u bini borive edhe ju rreth e qark fushimit dhe do të thoni: “Për Zotin dhe për Gideonin”».
19Gideoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në kufijtë e fushimit aty nga mesnata, fill pas ndërrimit të rojave. U ranë borive dhe thyen poçet që mbanin në dorë. 20Atëherë të tre grupet u ranë borive, thyen poçet, duke mbajtur në dorën e majtë pishtarët e në të djathtën boritë, dhe bërtitën: «Shpatë për Zotin dhe për Gideonin!». 21Secili prej tyre qëndroi në vendin e vet rreth fushimit. Të gjithë brenda fushimit filluan të vrapojnë me ulërima dhe morën arratinë. 22Teksa treqind burrat u binin borive, Zoti i bëri midianitët të ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit. I gjithë fushimi mori arratinë për në Bet Shitah në drejtim të Cererahut, deri në kufijtë e Abel Meholahut, pranë Tabatit. 23Atëherë izraelitët e fisit të Neftaliut, Asherit dhe gjithë Manaseut u thirrën për t'u rënë pas midianitëve.
24Gideoni dërgoi lajmëtarë edhe në gjithë malësinë e Efraimit për t'u thënë: «Zbrisni për t'u ndeshur me midianitët dhe shtini në dorë vaun e Jordanit deri në Bet Barah». U mblodhën tërë burrat e Efraimit dhe zunë tërë vaun e Jordanit deri në Bet Barah. 25Kapën robër edhe dy nga princat e Midianit, Orebin e Zebin. Orebin e vranë te Shkëmbi i Orebit, ndërsa Zebin te Gryka e Zebit. Kokat e Orebit dhe Zebit ia çuan Gideonit në anën tjetër të Jordanit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjyqtarët 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr