Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 7:1-23

Gjyqtarët 7:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jerubaali, domethënë Gideoni, dhe gjithë populli që ishte me të, u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit, ndërsa midianitët kishin fushuar në luginën që ndodhej në veri të kodrës së Morehut. Atëherë ZOTI i tha Gideonit: «Ke marrë tepër popull me vete, që t'u dorëzoj midianitët. Izraeli mund të mburret pastaj e të thotë: “U çlirova me forcat e mia”. Prandaj do të bësh këtë shpallje para popullit: “Kush dridhet nga frika, le të kthehet pas e të largohet nga mali i Gileadit”». U kthyen njëzet e dy mijë vetë dhe mbetën dhjetë mijë. Dhe ZOTI i tha Gideonit: «Prapë ka shumë popull. Zbriti poshtë tek uji dhe aty do t'i vë në provë. Me ty ka për të ardhur ai që do të të them unë, ndërsa ai për të cilin do të të them të mos vijë me ty, nuk ka për të ardhur». Gideoni e zbriti popullin tek uji dhe Zoti i tha: «Të gjithë ata që do të pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t'i ndash nga ata që do të pinë duke u ulur në gjunjë». Numri i atyre që e lëpinë ujin nga grushti ishte treqind veta. Të gjithë të tjerët pinë duke u ulur në gjunjë. ZOTI i tha Gideonit: «Me treqind burrat që e lëpinë ujin nga grushti, do t'ju çliroj dhe do t'jua dorëzoj midianitët. Të gjithë të tjerët lëri të shkojnë në shtëpi». Ata mblodhën ushqimet dhe boritë e popullit, ndërsa të gjithë izraelitët e tjerë Gideoni i nisi të ktheheshin nëpër tendat e veta. Me vete mbajti vetëm treqind burrat. Fushimi i midianitëve ishte poshtë tyre, në luginë. Atë natë ZOTI i tha Gideonit: «Ngrihu e zbrit në fushimin e midianitëve, sepse t'i kam dorëzuar ty. Po të kesh frikë të zbresësh vetëm, le të zbresë me ty edhe Purahu, shërbëtori yt. Kur të dëgjosh për çfarë flasin, do të të forcohen duart dhe do ta sulmosh fushimin». Gideoni zbriti bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij, deri në pararojën e fushimit. Midianitët, amalekitët dhe popujt e tjerë të lindjes ishin shpërndarë në tërë luginën, si një turmë e madhe karkalecash. Edhe devetë e tyre ishin të panumërta, si rëra brigjeve të detit. Kur mbërriti Gideoni, një ushtar po i tregonte shokut të vet një ëndërr, duke i thënë: «Pashë në ëndërr një bukë elbi të pjekur që rrokullisej drejt fushimit të midianitëve. Erdhi e goditi një tendë. Tenda ra e u kthye përmbys». Shoku iu përgjigj: «Kjo nuk është veçse shpata e Gideonit, birit të Joashit, izraelitit. Perëndia ia ka dorëzuar atij midianitët dhe gjithë fushimin». Kur Gideoni dëgjoi ëndrrën dhe shpjegimin e saj, u përkul deri në tokë dhe u kthye në fushimin e Izraelit dhe urdhëroi: «Ngrihuni, sepse Perëndia na i ka dorëzuar midianitët dhe fushimin e tyre». Treqind burrat i ndau në tre grupe dhe u dha të gjithëve nga një bori dhe nga një poç të zbrazët me një pishtar brenda. Pastaj u tha: Shihni nga unë dhe veproni si unë. «Kur të kem mbërritur në kufijtë e fushimit, do të veproni si unë. Kur t'i bie borisë unë dhe të gjithë ata që do të jenë me mua, do t'u bini borive edhe ju rreth e qark fushimit dhe do të thoni: “Për ZOTIN dhe për Gideonin”». Gideoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në kufijtë e fushimit aty nga mesnata, fill pas ndërrimit të rojave. U ranë borive dhe thyen poçet që mbanin në dorë. Atëherë të tre grupet u ranë borive, thyen poçet, duke mbajtur në dorën e majtë pishtarët e në të djathtën boritë, dhe bërtitën: «Shpatë për ZOTIN dhe për Gideonin!». Secili prej tyre qëndroi në vendin e vet rreth fushimit. Të gjithë brenda fushimit filluan të vrapojnë me ulërima dhe morën arratinë. Teksa treqind burrat u binin borive, ZOTI i bëri midianitët të ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit. I gjithë fushimi mori arratinë për në Bet Shitah në drejtim të Cererahut, deri në kufijtë e Abel Meholahut, pranë Tabatit. Atëherë izraelitët e fisit të Neftaliut, Asherit dhe gjithë Manaseut u thirrën për t'u rënë pas midianitëve.

Gjyqtarët 7:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Jerubaali, pra, (domethënë Gedeoni) dhe gjithë njerëzit që ishin me të u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit. Kampi i Midianit ndodhej në veri të tyre, pranë kodrës së Morehut, në luginë. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Midianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Është dora ime që më ka shpëtuar". Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë. Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t'i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty", ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur". Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpin qeni, do t'i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë". Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t'ju shpëtoj dhe do t'i jap midianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre". Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Midianit gjendej poshtë tij, në luginë. Po atë natë Zoti i tha Gedeonit: "Çohu dhe bjeri kampit, sepse unë ta kam lënë ty në dorë. Por në rast se ke frikë ta bësh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd, dhe do të dëgjosh çfarë thonë; mbas kësaj, duart e tua do të forcohen dhe do të jesh në gjendje të sulmosh kampin". Ai zbriti, pra, deri në pozicionet e përparuara të kampit bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij. Por midianitët, amalekitët dhe tërë bijtë e lindjes ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit. Kur arriti Gedeoni, një burrë po i tregonte një shoku të vet një ëndërr që kishte parë dhe thoshte: "Sapo pashë një ëndërr; më dukej sikur kisha përpara një bukë prej elbi që rrokullisej në drejtim të kampit të Midianit, arrinte në çadër dhe e godiste duke e përmbysur dhe duke e rrëzuar". Atëherë shoku i tij iu përgjigj dhe i tha: "Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gedeonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka lënë Midianin dhe tërë kampin". Mbasi dëgjoi tregimin e ëndrrës dhe interpretimin e saj, Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi; pastaj u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: "Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Midianit!". Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda; dhe u tha: "Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë. Kur do t'i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t'i bini borive rreth e qark gjithë kampit dhe do të bërtisni: "Për Zotin dhe për Gedeonin"". Gedeoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në buzë të kampit në prag të mesnatës, fill pas ndërrimit të rojeve. Ata u ranë borive dhe thyen enët që mbanin në dorë. Atëherë të tre grupimet u ranë borive dhe thyen enët duke mbajtur me dorën e majtë pishtarët dhe me atë të djathtë boritë, dhe filluan të bërtisnin: "Shpata e Zotit dhe e Gedeonit!". Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij rreth kampit; e tërë ushtria armike përkundrazi filloi të rendë, të bërtasë dhe të ikë me vrap. Ndërsa treqind burrat u binin borive, Zoti e ktheu shpatën e secilit kundër shokut të tij në tërë kampin. Ushtria armike ia mbathi në Beth-Shitah në drejtim të Tserahut, deri në buzë të Abel-Meholahut pranë Tabathit. Atëherë izraelitët e Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit u mblodhën dhe i ndoqën midianitët.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë