Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 3:12-30

Gjyqtarët 3:12-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Izraelitët filluan sërish të bënin ligësi në sytë e ZOTIT, prandaj dhe ZOTI i dha forcë Eglonit, mbretit të Moabit, që t'i kundërvihej Izraelit, për shkak të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT. Egloni mblodhi rreth vetes pasardhësit e Amonit dhe të Amalekut, sulmoi Izraelin, e mposhti dhe pushtoi qytetin e Palmave. Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. Atëherë izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN dhe ZOTI u dërgoi si shpëtimtar Ehudin, birin e Gerait, nga fisi i Benjaminit, që ishte mëngjarash. Izraelitët e dërguan t'i çonte tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, rreth gjysmë metri të gjatë, dhe e ngjeshi në ijën e djathtë nën rroba. Ehudi shkoi t'i japë tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i shëndoshë. Pasi i dhanë tagrat, Ehudi urdhëroi të largoheshin ata që kishin mbajtur tagrat. Kur mbërritën tek idhujt në Gilgal, Ehudi u kthye e i tha Eglonit: «Kam diçka për të të thënë në vesh, o mbret!». Mbreti dha urdhër që të mbahej qetësi dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. Ehudi iu afrua mbretit, që rrinte ulur i vetëm në dhomën e sipërme e të freskët, e i tha: «Kam për të të thënë një fjalë nga Perëndia». Mbreti u ngrit nga froni. Atëherë Ehudi shtriu dorën e majtë, nxori shpatën nga ija e djathtë dhe ia nguli mbretit në bark. Shpata u fut me gjithë dorëz, derisa e mbuloi dhjami. Ehudi nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit dhe mbretit i dolën zorrët. Ehudi mbylli derën e dhomës së sipërme nga pas dhe i vuri shulin. Pastaj doli nga portiku. Pasi doli Ehudi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura me shul. Ata thanë: «Me siguri do të jetë duke kryer nevojat vetjake në dhomën e freskët». Pritën gjatë, por mbreti nuk po e hapte derën e dhomës së sipërme. Atëherë morën çelësin, hapën derën dhe panë zotërinë e tyre të shtrirë përtokë e të vdekur. Ndërsa ata prisnin, Ehudi kishte ikur. Ai kaloi vendin e idhujve dhe arriti në Sejrah. Me të mbërritur, i ra bririt të dashit në malin e Efraimit. Atëherë izraelitët zbritën nga mali bashkë me të e ai u printe. Ehudi u tha izraelitëve: «Ejani pas meje, sepse ZOTI jua dorëzoi juve moabitët, armiqtë tuaj». Ata zbritën me të, zunë vaun e Jordanit, që të çon në Moab, dhe nuk lanë askënd të kalonte. Asokohe vranë rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë burra të fortë e trima. Asnjëri prej tyre nuk shpëtoi. Atë ditë Moabi iu nënshtrua Izraelit dhe vendi pati paqe për tetëdhjetë vjet.

Gjyqtarët 3:12-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe në sytë e Zotit; atëherë Zoti e bëri të fortë Eglonin, mbretin e Moabit, kundër Izraelit, sepse ata kishin bërë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit. Egloni mblodhi rreth vetes bijtë e Amonit dhe të Amalekut, dhe u nis e mundi Izraelin; dhe pushtoi qytetin e palmave. Kështu bijtë e Izraelit u bënë shërbëtorë të Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. Por bijtë e Izraelit i klithën Zotit dhe Zoti u dha atyre një çlirimtar, Ehudin, birin e Gerit, beniaminitin, që ishte mëngjarash. Bijtë e Izraelit i dërguan nëpërmjet tij haraçin e tyre Eglonit, mbretit të Moabit. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, të gjatë një kubitë; e ngjeshi në brez poshtë veshjes, në krahun e djathtë. Pastaj i çoi haraçin Eglonit, mbretit të Moabit, që ishte një njeri shumë i trashë. Kur mbaroi paraqitja e haraçit, ai ktheu në shtëpi njerëzit që kishin sjellë haraçin. Por ai vetë, nga vendi i idhujve pranë Gilgalit, u kthye prapa dhe tha: "O mbret, kam diçka që dua të të them fshehurazi". Mbreti i tha: "Heshtni!". Dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. Atëherë Ehudi iu afrua mbretit (që ishte ulur vetëm në fresk, në sallën lart). Ehudi i tha: "Kam një fjalë për të të thënë nga ana e Zotit". Kështu mbreti u ngrit nga froni i tij; atëherë Ehudi zgjati dorën e majtë, nxori shpatën nga krahu i djathtë dhe ia futi në bark. Edhe doreza e shpatës u fut pas presës dhe dhjami u mbyll pas presës sepse ai nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit; dhe zorrët e tij dolën jashtë. Pastaj Ehudi dolli në portik, dhe mbylli me çelës dyert e sallës së sipërme. Kur doli; erdhën shërbëtorët për të parë, dhe ja, dyert e sallës së sipërme ishin mbyllur me çelës; kështu ata thanë: "Me siguri ai bën nevojën e tij në dhomëzën e sallës së freskët". Dhe pritën aq sa e ndjenë veten të shushatur; por duke qenë se nuk po hapeshin portat e sallës, ata morën çelësin dhe e hapën; dhe ja, zotëria e tyre rrinte shtrirë në tokë: ai kishte vdekur. Ndërsa ata ngurronin, Ehudi pati kohë të ikte, kaloi matanë vendit të idhujve dhe shpëtoi duke arritur në Seirah. Me të arritur, i ra borisë në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit zbritën bashkë me të nga krahina malore, dhe ai u vu në krye të tyre. Dhe u tha atyre: "Ejani pas meje, sepse Zoti ju ka dhënë në dorë moabitët, armiqtë tuaj". Ata zbritën pas tij, zunë vatë e Jordanit që çojnë në Moab, dhe nuk lanë të kalojë asnjeri. Në atë kohë mundën rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë të fortë dhe trima; nuk shpëtoi as edhe një. Kështu atë ditë Moabi u poshtërua nga dora e Izraelit, dhe vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë