Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 3:12-30

Gjyqtarët 3:12-30 AL1

Izraelitët filluan sërish të bënin ligësi në sytë e ZOTIT, prandaj dhe ZOTI i dha forcë Eglonit, mbretit të Moabit, që t'i kundërvihej Izraelit, për shkak të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT. Egloni mblodhi rreth vetes pasardhësit e Amonit dhe të Amalekut, sulmoi Izraelin, e mposhti dhe pushtoi qytetin e Palmave. Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. Atëherë izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN dhe ZOTI u dërgoi si shpëtimtar Ehudin, birin e Gerait, nga fisi i Benjaminit, që ishte mëngjarash. Izraelitët e dërguan t'i çonte tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, rreth gjysmë metri të gjatë, dhe e ngjeshi në ijën e djathtë nën rroba. Ehudi shkoi t'i japë tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i shëndoshë. Pasi i dhanë tagrat, Ehudi urdhëroi të largoheshin ata që kishin mbajtur tagrat. Kur mbërritën tek idhujt në Gilgal, Ehudi u kthye e i tha Eglonit: «Kam diçka për të të thënë në vesh, o mbret!». Mbreti dha urdhër që të mbahej qetësi dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. Ehudi iu afrua mbretit, që rrinte ulur i vetëm në dhomën e sipërme e të freskët, e i tha: «Kam për të të thënë një fjalë nga Perëndia». Mbreti u ngrit nga froni. Atëherë Ehudi shtriu dorën e majtë, nxori shpatën nga ija e djathtë dhe ia nguli mbretit në bark. Shpata u fut me gjithë dorëz, derisa e mbuloi dhjami. Ehudi nuk e tërhoqi shpatën nga barku i mbretit dhe mbretit i dolën zorrët. Ehudi mbylli derën e dhomës së sipërme nga pas dhe i vuri shulin. Pastaj doli nga portiku. Pasi doli Ehudi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura me shul. Ata thanë: «Me siguri do të jetë duke kryer nevojat vetjake në dhomën e freskët». Pritën gjatë, por mbreti nuk po e hapte derën e dhomës së sipërme. Atëherë morën çelësin, hapën derën dhe panë zotërinë e tyre të shtrirë përtokë e të vdekur. Ndërsa ata prisnin, Ehudi kishte ikur. Ai kaloi vendin e idhujve dhe arriti në Sejrah. Me të mbërritur, i ra bririt të dashit në malin e Efraimit. Atëherë izraelitët zbritën nga mali bashkë me të e ai u printe. Ehudi u tha izraelitëve: «Ejani pas meje, sepse ZOTI jua dorëzoi juve moabitët, armiqtë tuaj». Ata zbritën me të, zunë vaun e Jordanit, që të çon në Moab, dhe nuk lanë askënd të kalonte. Asokohe vranë rreth dhjetë mijë moabitë, të gjithë burra të fortë e trima. Asnjëri prej tyre nuk shpëtoi. Atë ditë Moabi iu nënshtrua Izraelit dhe vendi pati paqe për tetëdhjetë vjet.