Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:4-31

Gjyqtarët 16:4-31 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur. Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri. Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah. Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë». Dalila pa se Samsoni i kishte folur me zemër të hapur dhe u çoi fjalë prijësve të filistinëve që të vinin, sepse Samsoni i kishte folur me zemër të hapur. Ata shkuan tek Dalila me monedhat e argjendit në dorë. Dalila e vuri Samsonin në gjumë mbi prehrin e saj dhe thirri dikë që i rroi të shtatë gërshetat e flokëve. Atëherë ajo filloi ta nënshtrojë Samsonin, sepse atë e lanë fuqitë. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi, duke menduar se do të dilte e do të shpëtonte si herët e tjera, por nuk e dinte se ZOTI ishte larguar prej tij. Kështu. filistinët e kapën, i nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E ndrynë në burg, e lidhën me vargonj bronzi dhe e vunë të rrotullojë mokrën. Ndërkohë, flokët e rruar filluan t'i rriteshin sërish. Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri ZOTIT e i tha: «O ZOT, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij. Vëllezërit dhe familja e tij shkuan, e morën trupin e tij dhe e varrosën mes Corahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, atit të tij. Samsoni qe gjyqtar në Izrael për njëzet vjet.

Gjyqtarët 16:4-31 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas kësaj ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delilah. Atëherë princat e filistenjve shkuan tek ajo dhe i thanë: "Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim për ta lidhur dhe për ta nënshtruar; pastaj do të të japim secili një mijë e njëqind sikla argjendi. Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë". Sansoni iu përgjigj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë". Atëherë princat e filistenjve i sollën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela. Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brendshme. Ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur. Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh". Ai iu përgjigj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër". Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj. Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjigj: "Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahut". Ajo i thuri dhe i fiksoi në shulin e tezgjahut pastaj i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Por ai u zgjua nga gjumi dhe shkuli shulin nga tezgjahu dhe nga maja. Atëherë ajo i tha: "Si mund të më thuash: "Të dua", kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe". Tani, me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje, dhe ia çeli asaj tërë zemrën, duke i thënë: "Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse jam një nazire i Perëndisë, qysh në barkun e nënës sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë". Kur Delilah u bind që ai ia kishte çelur plotësisht zemrën, dërgoi të thërrasin princat e filistenjve dhe u dërgoi këto fjalë: "Ejani lart këtë radhë se ai ma hapi tërë zemrën e tij". Atëherë princat Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rroi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la. Atëherë ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t'ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur. Dhe filistenjtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg. Ndërkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten. Princat e filistenjve u mblodhën për t'i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t'u gëzuar. Ata thoshin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë". Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: "Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë". Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave. Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qëndron shtëpia, që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e filistenjve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon. Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me filistenjtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi". Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njëra me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë; pastaj Sansoni tha: "Le të vdes bashkë me filistenjtë!". U përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë. Pastaj vëllezërit e tij dhe tërë shtëpia e atit të tij zbritën dhe e morën; dhe e çuan ta varrosin midis Tsorahut dhe Eshtaolit, në varrin e Manoahut, të atit të tij. Ai qe gjyqtar i Izraelit njëzet vjet me radhë.