Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:23-30

Gjyqtarët 16:23-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Prijësit filistinë u mblodhën për t'i kushtuar një fli të madhe Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për të festuar, sepse thoshin se perëndia i tyre ua kishte dorëzuar Samsonin, armikun e tyre. Kur e pa, populli përlëvdonte perëndinë e vet, duke thënë: «Perëndia ynë na e dorëzoi armikun, atë që shkatërronte arat tona, atë që vrau shumë nga njerëzit tanë». Shumë të gëzuar, ata thanë: «Silleni Samsonin të na argëtojë». E sollën Samsonin nga burgu, që t'i argëtonte, dhe e lidhën te shtyllat e tempullit. Atëherë Samsoni i tha djaloshit që e mbante për dore: «Lërmë të prek shtyllat e tempullit, që të mbështetem pak». Tempulli ishte i mbushur plot me burra e gra. Aty ishin edhe të gjithë prijësit e filistinëve dhe mbi çati gjendeshin rreth tre mijë vetë, burra e gra, që shikonin Samsonin tek i argëtonte. Atëherë Samsoni i thirri ZOTIT e i tha: «O ZOT, Zoti im, të lutem kujtohu për mua. Më jep edhe një herë fuqi, o Perëndia im, që të marr hak ndaj filistinëve për veten time dhe për dy sytë e mi». Samsoni mbërtheu dy shtyllat e mesit që mbanin tempullin, njërën me krahun e djathtë e tjetrën me krahun e majtë, e tha: «Le të vdes bashkë me filistinët!». I shtyu shtyllat me sa fuqi pati dhe tempulli u shemb mbi prijësit e filistinëve e mbi gjithë popullin që ishte në të. Samsoni vrau me vdekjen e vet më shumë sesa vrau gjatë gjithë jetës së tij.

Gjyqtarët 16:23-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Princat e filistenjve u mblodhën për t'i paraqitur një flijim të madh Dagonit, perëndisë së tyre, dhe për t'u gëzuar. Ata thoshin: "Perëndia ynë na ka dhënë në dorë Sansonin, armikun tonë". Kur populli e pa, filloi të lavdërojë perëndinë e vet dhe të thotë: "Perëndia ynë na dha në dorë armikun tonë, atë që shkatërronte vendin tonë dhe që ka vrarë aq shumë njerëz tanë". Kështu në gëzimin e zemrës së tyre, ata thanë: "Silleni Sansonin që të dëfrehemi me të!". E nxorën Sansonin nga burgu dhe ai bëri karagjozllëqe para tyre. Pastaj e vunë midis shtyllave. Atëherë Sansoni i tha fëmijës, që e mbante prej dore: "Lërmë të prek shtyllat mbi të cilat qëndron shtëpia, që të mund të mbështetem në to". Shtëpia ishte pot me burra dhe gra; aty ndodheshin tërë princat e filistenjve, dhe mbi çati tre mijë veta, burra e gra, që shikonin Sansonin ndërsa ky bënte palaçon. Atëherë Sansoni kërkoi ndihmën e Zotit dhe tha: "O Zot, o Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me filistenjtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi". Pastaj Sansoni kapi dy shtyllat qendrore, që mbanin tempullin, dhe u mbështet tek ato, tek njëra me dorën e djathtë dhe tek tjetra me dorën e majtë; pastaj Sansoni tha: "Le të vdes bashkë me filistenjtë!". U përkul pastaj me të gjithë forcën e tij, dhe shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë.