Gjyqtarët 16:1-17
Gjyqtarët 16:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Sansoni shkoi në Gaza dhe aty pa një prostitutë, dhe hyri tek ajo. Kur u thanë atyre të Gazës: "Sansoni erdhi këtu", ata rrethuan vendin dhe qëndruan në pritë tërë natën pranë portës së qytetit, duke mbajtur heshtje të plotë, dhe thanë: "Në të gdhirë do ta vrasim". Sansoni ndenji shtrirë deri në mesnatë; pastaj në mesnatë u ngrit, kapi kanatet e portës së qytetit dhe dy shtalkat e saj i shkuli nga vendi bashkë me shufrat prej hekuri, i ngarkoi mbi kurriz dhe i çoi në majë të malit që ndodhet përballë Hebronit. Mbas kësaj ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delilah. Atëherë princat e filistenjve shkuan tek ajo dhe i thanë: "Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim për ta lidhur dhe për ta nënshtruar; pastaj do të të japim secili një mijë e njëqind sikla argjendi. Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë". Sansoni iu përgjigj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë". Atëherë princat e filistenjve i sollën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela. Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brendshme. Ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur. Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh". Ai iu përgjigj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër". Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj. Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjigj: "Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahut". Ajo i thuri dhe i fiksoi në shulin e tezgjahut pastaj i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Por ai u zgjua nga gjumi dhe shkuli shulin nga tezgjahu dhe nga maja. Atëherë ajo i tha: "Si mund të më thuash: "Të dua", kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe". Tani, me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje, dhe ia çeli asaj tërë zemrën, duke i thënë: "Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse jam një nazire i Perëndisë, qysh në barkun e nënës sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë".
Gjyqtarët 16:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mandej Samsoni shkoi në Gazë. Atje pa një lavire dhe shkoi me të. Kur u thanë banorëve të Gazës se Samsoni ishte atje, ata rrethuan qytetin dhe i zunë pusi. Pritën gjithë natën te portat e qytetit, që ta vrisnin kur të agonte. Samsoni fjeti deri në mesnatë. Pastaj u ngrit nga mesi i natës, mbërtheu portën e qytetit dhe e shkuli bashkë me dy shtalkat e me shulin. Pastaj e hodhi mbi shpatulla dhe e çoi në majë të malit përballë Hebronit. Pas kësaj, Samsoni ra në dashuri me një grua që jetonte në Sorek. Ajo quhej Dalila. Prijësit e filistinëve shkuan tek ajo e i thanë: «Mbushja mendjen të të tregojë nga i vjen tërë ajo fuqi. Na trego si mund ta mposhtim, ta lidhim e ta vëmë poshtë dhe do të të japim nga një mijë e njëqind monedha argjendi secili». Kështu, Dalila i tha Samsonit: «Të lutem, më trego nga të vjen tërë kjo fuqi dhe si mund të lidhesh e të mposhtesh?». Samsoni i tha: «Nëse më lidhin me shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Prijësit e filistinëve i sollën Dalilës shtatë tela të freskët harku, të patharë ende, dhe ajo e lidhi Samsonin me to. Disa filistinë zunë pritë në një nga dhomat e shtëpisë dhe Dalila i thirri Samsonit: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Atëherë Samsoni i këputi telat e harkut, si fije liri pranë zjarrit. Kështu, e fshehta e fuqisë së tij mbeti e panjohur. Dalila i tha Samsonit: «U talle me mua e më the gënjeshtra. Më thuaj, pra, me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Nëse më lidhin me litarë të rinj, që nuk janë përdorur kurrë, më humbet fuqia e bëhem si njerëzit e tjerë». Atëherë Dalila mori litarë të rinj, e lidhi me to dhe bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Ndërkohë që disa filistinë kishin zënë pritë në një nga dhomat e shtëpisë. Samsoni i këputi litarët si të ishin fije peri. Atëherë Dalila i tha Samsonit: «Deri tani je tallur me mua e më ke thënë gënjeshtra. Tregomë me çfarë mund të lidhesh?». Ai iu përgjigj: «Duke thurur me kunjin e tezgjahut shtatë gërsheta në kokën time». Dalila ia thuri gërshetat dhe ia lidhi me kunjin e tezgjahut. Pastaj bërtiti: «Samson, po të sulmojnë filistinët». Samsoni u ngrit nga gjumi dhe e shkuli kunjin e tezgjahut me gjithë tezgjah. Dalila i tha Samsonit: «Si mund të thuash se më do, kur zemra jote nuk është me mua? Më gënjeve tri herë dhe nuk ma tregove se ku qëndron fuqia jote e madhe». Ajo e mërziste çdo ditë me fjalë dhe e ngacmonte pa pushim, aq sa Samsoni u pikëllua për vdekje, i hapi zemrën e i tha: «Kokën time nuk e ka prekur kurrë brisku, sepse i jam kushtuar Perëndisë si nazireas, që në bark të nënës. Nëse rruhem, më ikën fuqia dhe bëhem i dobët si njerëzit e tjerë».