Jakobit 2:1-9
Jakobit 2:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t'i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur? Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës.
Jakobit 2:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Vëllezër të mi, mos e kini me anësi besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të lavdisë. Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur, dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rrobën e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfrit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'', a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija? Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? Po ju i çnderuat të varfrit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata? A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju? Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë; por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.