Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 2

2
1Vëllezër të mi, mos e kini me anësi besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të lavdisë.
2Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
3dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rrobën e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfrit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'',
4a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
5Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
6Po ju i çnderuat të varfrit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
7A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?
8Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë;
9por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
10Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.
11Sepse ai që ka thënë: ''Mos shkel kurorën'', ka thënë gjithashtu: ''Mos vrit''. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.
12Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,
13sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
14Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
15Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
16dhe dikush nga ju u thotë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka?
17Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.
18Po dikush do të thotë: ''Ti ke besimin, dhe unë kam veprat''; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
19Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
21Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
22Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
23Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ''Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; dhe u quajt miku i Perëndisë.
24Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
25Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, kurva, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
26Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jakobit 2: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr