Isaia 60:1-11
Isaia 60:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ngrihu e shkëlqe, se po vjen drita jote! Lavdia e ZOTIT mbi ty po agon! Ja, tokën po e mbulon terri, popujt errësira e thellë, ndërsa mbi ty do të agojë ZOTI, lavdia e tij mbi ty do të shfaqet. Drejt dritës sate do të ecin kombet, mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd. Ngriji sytë përreth e shiko, janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti. Prej së largu do të vijnë bijtë e tu, bijat e tua do të sillen në krahë. Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh, zemra fort do të të rrahë, se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen e të mirat e kombeve te ti do të vijnë. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile prej Midianit dhe Efahut, të gjithë do të vijnë prej Shebës. Ar e temjan do të mbartin e do të shpallin lavdërimet e ZOTIT. Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti, deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd. Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm. Ç'janë ato që fluturojnë si retë, porsi pëllumbat drejt foleve të tyre? Ja, ishujt e largët tek më presin, me në krye anijet e Tarshishit. Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin, me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre, për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë tënd, për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi. Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua, mbretërit e tyre do të të shërbejnë, se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova, por nga mirësia ime pata mëshirë për ty. Portat e tua do të rrinë përherë hapur, nuk do të mbyllen as ditën, as natën, që të të sjellin pasurinë e kombeve, me mbretërit e tyre në krye.
Isaia 60:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
"Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty. Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty. Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate. Ngriji sytë e tu rreth e qark dhe shiko; mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti; bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t'i sjellin në krahë. Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vije tek ti. Një mori devesh do të të mbulojë, gamile të reja të Midianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit. Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime. Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre? Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty. Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye.