Ngrihu e shkëlqe,
se po vjen drita jote!
Lavdia e ZOTIT
mbi ty po agon!
Ja, tokën po e mbulon terri,
popujt errësira e thellë,
ndërsa mbi ty do të agojë ZOTI,
lavdia e tij mbi ty do të shfaqet.
Drejt dritës sate do të ecin kombet,
mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd.
Ngriji sytë përreth e shiko,
janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti.
Prej së largu do të vijnë bijtë e tu,
bijat e tua do të sillen në krahë.
Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh,
zemra fort do të të rrahë,
se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen
e të mirat e kombeve te ti do të vijnë.
Një mori devesh do të të mbulojë,
gamile prej Midianit dhe Efahut,
të gjithë do të vijnë prej Shebës.
Ar e temjan do të mbartin
e do të shpallin lavdërimet e ZOTIT.
Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti,
deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd.
Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim
e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm.
Ç'janë ato që fluturojnë si retë,
porsi pëllumbat drejt foleve të tyre?
Ja, ishujt e largët tek më presin,
me në krye anijet e Tarshishit.
Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin,
me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre,
për nder të emrit të ZOTIT, Perëndisë tënd,
për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi.
Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua,
mbretërit e tyre do të të shërbejnë,
se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova,
por nga mirësia ime pata mëshirë për ty.
Portat e tua do të rrinë përherë hapur,
nuk do të mbyllen as ditën, as natën,
që të të sjellin pasurinë e kombeve,
me mbretërit e tyre në krye.