Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 43:1-17

Isaia 43:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

E tani kështu thotë ZOTI, ai që të krijoi, o Jakob, ai që të dha trajtë, o Izrael: mos ki frikë, se të kam shpenguar, të kam thirrur me emër, i imi je ti! Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem, kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh, se do të kalosh nëpër zjarr e s'do të digjesh, flaka ty nuk do të të përvëlojë, se unë jam ZOTI, Perëndia yt, i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt. Për ty dhashë si peng Egjiptin, me ty këmbeva Kushin e Sebën. Ti je i çmuar në sytë e mi, ke vlerë e unë të dua. I jap njerëzit në këmbim për ty, popujt në këmbim të jetës sate. Mos ki frikë, se unë jam me ty, pasardhësit e tu do t'i kthej prej lindjes, do t'ju mbledh bashkë prej perëndimit. Veriut do t'i them: «Dorëzoma!» e jugut: «Mos i mbaj!». Ktheji bijtë e mi prej së largu, bijat e mia prej skajeve të tokës, tërë ata që thirren me emrin tim, që i krijova për nderin tim, që u dhashë trajtë e i bëra. Nxirre jashtë popullin e verbër, ndonëse ka sy, popullin e shurdhër, ndonëse ka veshë. Gjithë kombet le të mblidhen bashkë, popujt le të bashkohen! Kush prej tyre e shpalli këtë apo na i paratha gjërat e kaluara? Le të sjellin, pra, dëshmi, për t'u përligjur, le t'i dëgjojnë, që të thonë: «Është e vërtetë!». Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton ZOTI, shërbëtorët e mi, që vetë i zgjodha, që të më njihni e të besoni në mua, që të kuptoni se unë jam. Para meje nuk kishte asnjë perëndi e pas meje tjetër s'do të ketë. Unë e vetëm unë jam ZOTI, veç meje shpëtimtar tjetër s'ka. Unë shpalla e unë shpëtova, unë parathashë e perëndi tjetër mes jush s'kishte. Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton ZOTI, e unë jam Perëndia. Që prej amshimit unë jam po ai, asgjë s'i shpëton dorës sime, çka bëj unë, kush mund ta zhbëjë? Kështu thotë ZOTI, shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit: Për hirin tënd do ta sulmoj Babiloninë e do t'i rrëzoj të gjithë vargonjtë. Brohoritjet e kaldenjve në kujë do t'i kthej. Unë jam ZOTI, i shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti yt. Kështu thotë ZOTI, që udhë hapi në det, shteg kalimi mes ujërave të furishme, që bëri të dalin karroca lufte e kuaj, ushtri e luftëtarë trima, që u plandosën e më s'u ngritën, që u shuan e si kandili u fikën

Isaia 43:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por tani kështu thotë Zoti, që të ka krijuar, o Jakob, që të ka formuar, o Izrael: "Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua. Kur do të kalosh përmes ujërave unë do të jem me ty, ose do të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin; kur do të ecësh nëpër zjarr, nuk do të digjesh dhe flaka nuk do të të konsumojë. Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Kam dhënë Egjiptin si çmim për shpengimin tënd, Etiopinë dhe Seban për ty. Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty; do të t'i sjell pasardhësit e tu nga lindja dhe do të grumbulloj nga perëndimi. Do t'i them veriut: "Ktheji", dhe jugut: "Mos i mbaj. Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time, që kam formuar dhe bërë gjithashtu". Nxirr popullin e verbër që megjithatë ka sy, dhe të shurdhër që megjithatë kanë vesh. Le të mblidhen bashkë tërë kombet, të grumbullohen popujt! Kush prej tyre mund të njoftojë këtë gjë dhe të na bëjë të dëgjojmë gjërat e kaluara? Le të paraqesin dëshmitarët e tyre për t'u justifikuar; ose le të dëgjojnë dhe të thonë: "Është e vërtetë!". Dëshmitarët e mi jeni ju, thotë Zoti, bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, me qëllim që ju të më njihni dhe të keni besim tek unë, si dhe të merrni vesh që unë jam. Para meje asnjë Perëndi nuk u formua dhe pas meje nuk do të ketë asnjë tjetër. Unë, unë jam Zoti dhe përveç meje nuk ka Shpëtimtar tjetër. Unë kam shpallur, kam shpëtuar dhe kam njoftuar; dhe nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis jush; prandaj ju jeni dëshmitarët e mi, thotë Zoti, dhe unë jam Perëndi. Para fillimit të kohës unë jam gjithnjë po ai dhe askush nuk mund të çlirojë njeri nga dora ime; kur unë veproj, kush mund të më pengojë?". Kështu thotë Zoti, Çliruesi juaj, i Shenjti i Izraelit: "Për hirin tuaj unë po dërgoj dikë kundër Babilonisë, dhe do të bëj që të ikin të gjithë; kështu kaldeasit do të ikin me anije duke bërtitur nga dhembja. Unë jam Zoti, i Shenjti juaj, krijuesi i Izraelit, mbreti juaj". Kështu thotë Zoti që hapi një rrugë në det dhe një shteg midis ujërave të fuqishme, që nxori qerre, kuaj dhe një ushtri të fuqishme; ata dergjen të gjithë së bashku dhe nuk do të ngrihen më; janë asgjësuar dhe janë shuar si një kandil.

Isaia 43:1-17

Isaia 43:1-17 ALBBIsaia 43:1-17 ALBBIsaia 43:1-17 ALBBIsaia 43:1-17 ALBBIsaia 43:1-17 ALBB

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë