Isaia 43
43
Çlirimtari i Izraelit
1E tani kështu thotë Zoti,
ai që të krijoi, o Jakob,
ai që të dha trajtë, o Izrael:
mos ki frikë, se të kam shpenguar,
të kam thirrur me emër, i imi je ti!
2Kur të kalosh përmes ujërave, me ty do të jem,
kur të përshkosh lumenjtë, nuk do të mbytesh,
se do të kalosh nëpër zjarr e s'do të digjesh,
flaka ty nuk do të të përvëlojë,
3se unë jam Zoti, Perëndia yt,
i shenjti i Izraelit, shpëtimtari yt.
Për ty dhashë si peng Egjiptin,
me ty këmbeva Kushin e Sebën.
4Ti je i çmuar në sytë e mi,
ke vlerë e unë të dua.
I jap njerëzit në këmbim për ty,
popujt në këmbim të jetës sate.
5Mos ki frikë, se unë jam me ty,
pasardhësit e tu do t'i kthej prej lindjes,
do t'ju mbledh bashkë prej perëndimit.
6Veriut do t'i them: «Dorëzoma!»
e jugut: «Mos i mbaj!».
Ktheji bijtë e mi prej së largu,
bijat e mia prej skajeve të tokës,
7tërë ata që thirren me emrin tim,
që i krijova për nderin tim,
që u dhashë trajtë e i bëra.
8Nxirre jashtë popullin e verbër,
ndonëse ka sy,
popullin e shurdhër,
ndonëse ka veshë.
9Gjithë kombet le të mblidhen bashkë,
popujt le të bashkohen!
Kush prej tyre e shpalli këtë
apo na i paratha gjërat e kaluara?
Le të sjellin, pra, dëshmi, për t'u përligjur,
le t'i dëgjojnë, që të thonë: «Është e vërtetë!».
10Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,
shërbëtorët e mi, që vetë i zgjodha,
që të më njihni e të besoni në mua,
që të kuptoni se unë jam.
Para meje nuk kishte asnjë perëndi
e pas meje tjetër s'do të ketë.
11Unë e vetëm unë jam Zoti,
veç meje shpëtimtar tjetër s'ka.
12Unë shpalla e unë shpëtova, unë parathashë
e perëndi tjetër mes jush s'kishte.
Ju jeni dëshmitarët e mi, kumton Zoti,
e unë jam Perëndia.
13Që prej amshimit unë jam po ai,
asgjë s'i shpëton dorës sime,
çka bëj unë, kush mund ta zhbëjë?
14Kështu thotë Zoti,
shpenguesi yt, i shenjti i Izraelit:
Për hirin tënd do ta sulmoj Babiloninë
e do t'i rrëzoj të gjithë vargonjtë.
Brohoritjet e kaldenjve
në kujë do t'i kthej.
15Unë jam Zoti, i shenjti juaj,
krijuesi i Izraelit, mbreti yt.
16Kështu thotë Zoti, që udhë hapi në det,
shteg kalimi mes ujërave të furishme,
17që bëri të dalin karroca lufte e kuaj,
ushtri e luftëtarë trima,
që u plandosën e më s'u ngritën,
që u shuan e si kandili u fikën:
18Mos i kujtoni më ngjarjet e shkuara,
ndodhitë e qëmoçme mos i mendoni.
19Ja, po bëj një gjë të re,
një gjë që tani po çel!
A nuk e shihni?
Udhën po hap përmes shkretëtirës,
lumenj në vendin e shkretë.
20Egërsirat do të më japin lavdi,
çakejtë e këlyshët e strucit,
se ujin çova në shkretëtirë,
lumenjtë në vendin e shkretë,
që t'i jap për të pirë popullit tim,
të zgjedhurit tim,
21popullit që e krijova për vete
e që do të shpallë lavdinë time.
22Por ti nuk më thirre mua, o Jakob,
përkundrazi, u lodhe me mua, o Izrael.
23S'më kushtove qengja si fli shkrumbimi,
me flitë e tua nuk më nderove,
s't'u bëra barrë e s'të kërkova fli,
nuk të lodha e s'të kërkova temjan.
24Për mua s'bleve me para kanellë,
nuk më ngope me dhjamin e flive të tua.
Përkundrazi, më rëndove me mëkatet e tua,
me paudhësitë e tua më lodhe.
25Unë, unë jam ai që, për hirin tim,
i shlyej paudhësitë e tua,
e mëkatet e tua nuk i kujtoj.
26Bëmë të kujtohem e le të bëjmë gjyq bashkë,
fol e përligj vetveten.
27Ati yt i parë mëkatoi,
ndërmjetësit e tu u ngritën kundër meje.
28Prandaj prijësit e shenjtërores i çnderova,
Jakobin ia dorëzova shfarosjes
dhe Izraelin poshtërimit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Isaia 43: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020