Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 40:1-11

Isaia 40:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj. Flitini zemrës së Jerusalemit, i shpallni atij, se mori fund thirrja nën armë, paudhësia e tij u shlye, se dyfish u ndëshkua prej dorës së ZOTIT për gjithë mëkatet e tij. Ja, një zë thërret: «Bëni gati në shkretëtirë një udhë për ZOTIN, rrafshoni nëpër stepë një shteg për Perëndinë tonë. Le të ngrihet lart çdo luginë, le të ulet poshtë çdo mal e kodër, rruga dredha-dredha le të drejtohet, rrëpira le të bëhet e rrafshët. Lavdia e ZOTIT do të shfaqet e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë, se foli vetë goja e ZOTIT». Ja, një zë thotë: «Shpall!». E pyeta: «Çfarë të shpall?». «Se çdo njeri është si bari, e mirësia e tij si lulja e fushës. Bari thahet e lulja vyshket, kur fryma e ZOTIT puhat mbi të, e vërtet, populli është si bari. Thahet bari, vyshket lulja, por fjala e Perëndisë tonë mbetet në amshim». Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin Sionit! Ngrije sa më fort zërin, ti që i sjell lajmin Jerusalemit! Ngrije zërin e mos ki frikë, qyteteve të Judës thuaju: «Ja, Perëndia juaj!». Ja, ZOTI Perëndi, po vjen me fuqi, e krahu i tij do të sundojë. Ja, me vete sjell shpagimin, në prani të tij është shpërblimi. Si bariu do ta kullotë kopenë e tij, me krahun e vet do t'i mbledhë qengjat, në gji do t'i mbajë, deleve pjellake me kujdes do t'u prijë.

Isaia 40:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj. I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij". Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: "Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë. Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vendet e vështira të sheshuar. Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur". Një zë thotë: "Bërtit!", dhe përgjigja që merr është: "Çfarë të bërtas?". "Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar. Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë". O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: "Ky është Perëndia juaj!". Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend. Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t'i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t'i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjlit e tyre.